Radio Vala 98.3 FM

045/049/235300

Adresa

Rr.Avni Rrustemi Shirokë Suharekë

Adem Demaqi, Feniksi dhe Prometeu shqiptar

Opinione  |  E Mërkure - 27 Shkurt, 2019  |  153 Lexime

Ovidi e përshkruan kështu feniksin: “Shumica e qenieve të gjalla lindin nga qenie të tjera, por ekziston një specie e cila riprodhon vetveten. E quajnë feniks. Ky nuk jeton me fruta apo me bimë, por me rrëshirë dhe me lëngje pemësh aromatike. Kur ai mbush 500 vjet, ndërton një fole në maje të një peme, arre apo palme. Në të ai akumulon kanellë dhe gjithfarë lloje bimësh të tjera aromatike nga të cilat nxirren esencat e parfumeve. Ndërton me to një fole në të cilën vendoset dhe ndërsa vdes, nxjerr jashtë frymën e tij të fundit e cila përzihet me erën e bimëve aromatike. Nga trupi i feniksit që vdes del një feniks i ri, i destinuar që të jetojë po aq gjatë sa edhe paraardhësi i tij. Sapo rritet ai largohet nga pema e cila ishte vendlindja e tij dhe varri i paraardhësit. Ai merr me vete hirin e të parit dhe e çon në tempullin e diellit. Ai jeton në vetmi.”

E tillë ishte edhe lindja, vetë flijimi dhe rilindja e Adem Demaqit, i cili si një feniks me përmasa mitike dhe reale njëkohësisht, i ngritur nga zjarri dhe hiri, u shndërrua pastaj në një Promete, për tu bërë pronë e njerëzve, jo vetëm në Kosovë po gjithandej ndër shqiptarë.

Kur ishin shterur përpjekjet për liri dhe Bashkim Kombëtar, jo pse mungonte guximi, por thjesht për arsye se çdo përpjekje për çështjen kombëtare ishte shuar me shfarosje, vrasje, burgosje dhe me çdo mjet tjetër të mundshëm represiv, atëherë kur ishin shuar shpresat dhe vrarë protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë etnike, ishin vrarë dhe përndjekur anëtarët e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, ishin vrarë dhe përndjekur pasuesit e fundit të Lëvizjes Kaçake, ishin vrarë dhe përndjekur nacionalistët e bashkuar dhe të mashtruar nga partia komuniste jugosllave, ishin vrarë, përndjekur dhe burgosur Nacional Demokratët Shqiptarë, pikërisht në këtë kohë kur, gjithçka ishte bërë zjarr e hi nga armiqtë, lindi feniksi i ri, lindi Adem Demaqi, lindi një Promete,i cili u premtoi dhe ua ofrojë bashkëkombësve të vet dritën dhe, sikurse Prometeu mitik, ishte ai që luftoi për tua dhënë energjinë, përkushtimin dhe veprimin për dijen dhe lirinë, shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera në Jugosllavi, dhe është ai që njihet si simboli i rebelimit kundër“perëndive” (serbo sllave).

Për dallim prej lëvizjeve politike kombëtare gjatë historisë shqiptare, ku kishte një vazhdimësi organizimi dhe përpjekjesh, qëndrese apo të rifilluar nga pinjollët e familjeve patriotike, Adem Demaqi e kishte filluar ecjen e tij te atdhedashurisë thuaja se i vetëm. Ai kishte lindur në një kohë pa kohë, në kohën kur lëvizjet shqiptare për liri në Kosovë dhe anë e këndshqiptarisë ishin duke u shuar plotësisht. Ardhja e tij si feniksi mitologjik që lindi nga prushi në sfondin e Kosovës, ishte rilindje, ai doli nga gjaku i heronjve dhe martirëve më të mëdhenj kombëtar. Nga ky zjarr, ai u ngrit i drejtë dhe i pa epur, për të sfiduar për tri dekada shtypjen, tiraninë, okupimin dhe kolonizimin serb të Kosovës dhe shqiptarëve gjithandej brenda ish Jugosllavisë Socialiste.

Adem Demaqi nuk është i vdekshmi i zakonshëm, Adem Demaqi nuk është tokësori që u lakua apo u hepua ndonjëherë prej vuajtjeve dhe krajatave të tij, gjatë jetës prej tetë dekadash. Ai është i jashtëzakonshmi, qiellori dhe më vertikali në historinë e re shqiptare.

Hajriz Sejdiu

Adem Demaqi, Feniksi dhe Prometeu shqiptar

Reklamë

Komentet

Opinione

 

Marketingu

Politikë

Ekonomi

Kulturë

Sport

Showbiz

Argëtim